World

Iran, protesta pro dhe anti-qeveritare, Erdogan, kritik ndaj ShBA-ve dhe Izraelit

Në të tretën ditë me radhë kanë vazhduar në Iran protestat pro-qeveritare, ndërsa sipas mediave perëndimore po vazhdojnë edhe protestat anti-qeveritare.

Protestat pro qeveritare po mbahen para se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mbajë takimin urgjent rreth protestave të përgjakshme kundër qeverisë në Iran. Raportimet në mediat perëndimore për protestat kundër qeverisë janë zvogëluar, pasi Teherani ka bllokuar mediat sociale të përdorura nga protestuesit për të shpërndarë momente të protestës.

Pamjet nga qyteti Mashhad, ku kanë filluar protestat më 28 dhjetor, kanë shfaqur qindra protestues derisa kanë bërë thirrje kundër klerikëve, si përgjigje ndaj deklaratave të Gardës Revolucionare se protestat kanë përfunduar.

Mediat shtetërore iraniane nuk kanë mbuluar protestat kundër qeverisë prej kur Garda Revolucionare e Iranit ka pretenduar se protestat kanë përfunduar. Mirëpo mediat shtetërore kanë raportuar se kjo Gardë është duke vazhduar me rritjen e numrit të forcave të sigurisë në disa pjesë të vendit. Të paktën 22 persona janë vrarë në përplasjet në mes të protestuesve kundër qeverisë dhe forcave të sigurisë, ndërsa më shumë se 1,000 protestues të tjerë është raportuar se janë arrestuar.

Mediat iraniane shtetërore kanë raportuar për protestat pro-qeveritare, të mbajtura pas lutjeve të së premtes.

Gjatë lutjeve të së premtes në Teheran, kleriku i linjës së ashpër, Ahmad Khatami, ka thënë se ai mbështet vendimin e qeverisë për bllokimin e rrjeteve sociale për shkak të protestave, pasi sipas tij në momentin që e ka marrë këtë vendim “trazirat janë ndalur”.

“Kombi ynë nuk e përkrahë një rrjet social, i cili udhëhiqet nga duart e Shteteve të Bashkuara”,-ka thënë Khatami. Sipas tij, çdokush që ka djegur flamurin iranian duhet të dënohet me vdekje.

Ndërkohë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin për ndërhyrje në Iran. “Ne nuk mund të pranojmë që disa shtete – kryesisht ShBA-ja dhe Izraeli – të ndërhyjnë në punët e brendshme të Iranit dhe Pakistanit”,- u ka thënë gazetarëve presidenti turk, përpara se të nisej për vizitën e tij zyrtare në Francë.

“Është e turpshme ajo që kemi parë në shumë shtete… Këtë gjë e kemi parë edhe në Irak”,- ka thënë presidenti turk Erdogan.





Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*
*